Banorët e fshatit Allgjatë në njësinë administrative Vaqarr shprehin shqetësimin e madh për rrëshqitjen e tokës që po ndodh pranë banesave të tyre, si pasojë e punimeve për autostradën Kashar–Mullet. Ata thonë se kompanitë “Elmazaj Konstruksion” dhe INC S.P.A SHPK nuk kanë marrë asnjë masë mbrojtëse për stabilizimin e dheut gjatë gërmimeve, ndërkohë që lëvizja e terrenit është e dukshme dhe e vazhdueshme.
Sipas banorëve, inxhinieri i kompanisë ka pranuar se e kishte vënë re lëvizjen e tokës prej dy ditësh, por megjithatë punimet nuk janë ndalur. Kjo situatë ka shkaktuar dëmtime në rrugët e fshatit, duke vështirësuar qarkullimin, ndërsa tashmë rreziku më i madh mbetet shembja e banesave. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të çojë në pasoja të rënda për komunitetin.
Denoncimi i banorëve:
Përshëndetje, këtu ndodhemi në fshatin Allgjatë në njësinë Administrative Vaqarr ku po ndërtohet autostrada Kashar-Mullet. Punimet po kryhen nga "Elmazaj Konstruksion" dhe INC S.P.A SHPK. Gjatë gërmimeve të rrugës që po bëhet poshtë shtëpive të fshatit dhe siç shihet qartë edhe në video, ata nuk kanë marrë asnjë masë për të bllokuar lëvizjen e dheut. Gjatë bisedimeve që kishim ditën e djeshme me inxhinierin e kompanisë: Ka thënë që: "E kam vënë re lëvizjen e dheut që para dy ditësh" i kërkuam të marr masa edhe të ndaloj punimet por s’është e mundur. Punimet vazhdojnë akoma edhe toka lëviz ngadalë. Sikur mos të mjaftonte shembja e rrugëve të fshatit që na kanë bllokuar për të mos shkuar në shtëpi tashmë rrezikojnë edhe banesat të shemben. Ju lutem është urgjente duhen marrë masa pasi nesër mund të zgjohemi së bashku me shtëpitë nën rrënoja.