Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Fier–Roskovec, në zonën e njohur si “Kthesa e Verbasit”. Ngjarja ka përfshirë dy automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar lëndimin e dy drejtuesve dhe katër pasagjerëve.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Deri më tani nuk raportohet për gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa stafi mjekësor po vijon ndjekjen e rasteve.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar shkaqet e plotë të aksidentit. Hetimet pritet të sqarojnë dinamikën e përplasjes dhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve të mjeteve.