Një ish-punonjëse e kioska-ve të Bashkisë së Tiranës ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania kompaninë E-Luma Network, e cila sipas saj administron një pjesë të këtyre pikave. Ajo pretendon se gjatë gjithë kohës së punës i janë mbajtur padrejtësisht para nga paga mujore, pa asnjë sqarim dhe pa asnjë dokument të transparent.
Sipas saj, situata nuk ka prekur vetëm një punonjëse, por dhjetëra punonjës të tjerë që kanë hasur të njëjtat probleme.
Në mesazhin e dërguar redaksisë, ish-punonjësja shprehet:
“Kam punuar për një periudhë të gjatë si shitëse dhe çdo muaj na mbanin lekë nga paga pa asnjë shpjegim. Shtonin minuse në inventar edhe kur gjithçka ishte në rregull, vetëm që të na ulnin pagën.”
Ajo thotë se gjatë muajit që dha dorëheqjen, nga paga e fundit i janë mbajtur 70 mijë lekë të vjetra, edhe pse pretendon se ka qenë korrekte me inventaret dhe procedurat e largimit nga puna.
Punonjësja deklaron se para kalimit të pagave, është kontaktuar disa herë nga ekonomistja e kompanisë, e cila sipas saj i ka kërkuar të firmosë një dokument që pohonte se kompania nuk kishte asnjë detyrim financiar ndaj saj.
“M’u tha qartë: ose firmos, ose nuk të kalojmë pagën. Sigurisht që nuk e pranova, sepse nuk kisha marrë pagën e muajit të fundit dhe 5 ditë pushime të pashfrytëzuara.”
Sipas denoncimit, pas ankesës së saj, ajo është takuar me administratorin e firmës, Margen Ademaj, i cili i ka thënë se nuk ishte në dijeni të situatës dhe se do ta verifikonte.
Megjithatë, punonjësja deklaron se nuk ka marrë më asnjë përgjigje.
“As nuk më sqaroi, as nuk më ktheu përgjigje. Vetëm më bëri block dhe nuk m’u përgjigj më kurrë.”
Në foton e sjellë nga punonjësja, shihet edhe një pjesë e bisedës me administratorin, e cila sipas saj tregon mungesë reagimi dhe komunikimi nga kompania.
Ajo thekson se punonjësit kanë punuar me rroga minimale, rreth 400 mijë lekë të vjetra, dhe as ato, sipas saj, nuk janë marrë të plota asnjëherë.
“Këta persona nuk ngopen duke vjedhur. Nuk dua që dikush tjetër ta pësojë si unë.”
Denoncuesja beson se rasti i saj nuk është i izoluar:
“Jam e sigurt që nëse e publikoni, do merrni shumë mesazhe nga persona që kanë kaluar të njëjtën gjë.”