Një analizë e re gjenetike hedh dritë mbi thashethemet e vjetra për Adolf Hitlerin. Sipas dokumentarit të Channel 4 “Hitler’s DNA: Blueprint of a Dictator”, diktatori nazist dyshohet se vuante nga sindroma Kallmann, një çrregullim i rrallë që pengon zhvillimin normal të organeve seksuale dhe vonon ose ndalon pubertetin.
Sipas ekspertëve, ky çrregullim mund të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin e organeve seksuale, duke rritur gjasat që Hitleri të kishte anomali të tilla si mikropenis. Studiuesja kryesore, profesorja Turi King, thotë se ka rreth 1 në 10 shanse që ai të ketë vuajtur pikërisht këtë problem.
Analiza është kryer mbi një profil ADN-je të nxjerrë nga një copë stofi të njollosur me gjak, e marrë nga divani ku Hitleri vrau veten në vitin 1945. Zbulimet lidhen edhe me një raport mjekësor të vitit 1923, i cili sugjeronte se ai kishte vetëm një testikul ,një detaj i përfolur prej kohësh.
King theksoi se këto gjetje nuk e justifikojnë në asnjë mënyrë atë që ai ka bërë, por shtoi se qasja e matur dhe shkencore ndihmon në shpjegimin më të plotë të figurës së tij, pa krijuar mite apo piedestalizim.