Suedi/ Urbani përplaset me shpejtësi në stacionin e autobusave, raportohet për viktima dhe të plagosur

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2025, 22:03

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Stokholm, ku një autobus urban me dy kate është përplasur me shpejtësi në një stacion autobusi, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Ngjarja u regjistrua rreth orës 15:23 në Valhallavägen, në zonën Östermalm, pranë Institutit Mbretëror të Teknologjisë.

Sipas autoriteteve suedeze, nga përplasja humbën jetën të paktën tre persona, ndërsa tre të tjerë u plagosën, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Viktimat ishin këmbësorë që qëndronin në radhë te stacioni i autobusit. Mjeti nuk kishte pasagjerë, pasi nuk ishte në shërbim në momentin e ngjarjes.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi që punonin në pjesën e përparme të autobusit, ku raportohet se disa persona kishin mbetur të bllokuar poshtë mjetit. Kabina e autobusit u dëmtua rëndë, ndërsa streha e stacionit u shemb plotësisht nga përplasja.

Shoferi i autobusit është arrestuar dhe po merret në pyetje. Hetimi është regjistruar fillimisht si “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse aksidenti lidhet me një problem teknik, gabim njerëzor apo një emergjencë shëndetësore të mundshme të shoferit. Nuk ka asnjë të dhënë që ngjarja të ketë qenë e qëllimshme.

Dëshmitarët e ngjarjes përshkruan momente paniku dhe tronditjeje.

Një prej tyre tha se autobusi “mundi gjithë radhën e njerëzve që prisnin tek stacioni”, ndërsa shumë qytetarë vrapuan për të ndihmuar të plagosurit. Një infermiere që ndodhej rastësisht aty deklaroi se skena “dukej e parreal, si një situatë stërvitjeje”.

Të tjerë banorë të zonës thanë se dëgjuan një zhurmë të madhe dhe ulërima, ndërsa panë njerëz të shtrirë në tokë. Për disa orë pas ngjarjes, një pjesë e Valhallavägen mbeti e bllokuar dhe qarkullimi u devijua nga policia.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, reagoi menjëherë duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave: “Kam marrë lajmin tragjik se disa persona kanë humbur jetën… Njerëz që ndoshta ishin në rrugë për në shtëpi tek familjet e tyre. Mendimet e mia janë me ta dhe me të plagosurit.”

Hetimet pritet të zbardhin shkaqet e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur kryeqytetin suedez.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit