Konispol/ Dhunohet barbarisht 18-vjeçari dhe kushërira e tij e 12-vjeçare, përfundojnë në spital

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2025, 21:30

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Konispol, ku një 18-vjeçar dhe kushërira e tij 12 vjeçe janë dhunuar brutalisht, sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania.

Sipas dëshmive të familjarëve dhe qytetarëve, të rinjtë janë sulmuar ndërsa ndodheshin me automjetin e tyre në qendër të qytetit. Denoncuesit thonë se pesë persona nga fshati Shëndelli i kanë ndjekur dhe më pas i kanë goditur me mjete të forta, mes tyre shkop bejsbolli dhe leva hekuri.

Si pasojë, 18-vjeçari E.K. dhe e mitura kanë pësuar plagë të shumta dhe tronditje të forta në kokë, ndërsa automjeti është dëmtuar rëndë nga goditjet.

Pamjet e siguruara nga JOQ Albania tregojnë 18-vjeçarin të gjakosur në fytyrë, si dhe automjetin e tij të dëmtuar në disa pjesë.

Sipas mesazheve të dërguara në redaksinë tonë, konfliktet mes palëve thuhet se kanë nisur që në dhjetor të vitit 2024 dhe se situata është përshkallëzuar herë pas here.

Denoncuesit pretendojnë gjithashtu se të rinjtë e përfshirë në sulm kanë terrorizuar edhe qytetarë të tjerë të zonës, por se deri tani nuk janë marrë masa të plota për t’i ndaluar.

Nga ana tjetër, burime zyrtare raportojnë se Policia e Konispolit ka referuar materialet në Prokurori dhe ka shpallur në kërkim disa prej të dyshuarve:

– Alban Tanushi, 18 vjeç – Flavjo Arapi, 18 vjeç – Nikola Doda, 18 vjeç – Ornel Lekgegaj, 19 vjeç – si dhe një i mitur 17 vjeç, banues në fshatin Shëndelli

Sipas policisë, këta shtetas dyshohet se kanë goditur me mjete të forta 18-vjeçarin E.K. dhe i kanë dëmtuar automjetin. Nuk ka të dhëna zyrtare nëse 12-vjeçarja është prekur nga sulmi, megjithëse dëshmitë e familjarëve tregojnë se edhe ajo ka marrë goditje në kokë.

Të dy të dëmtuarit ndodhen në spital, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Familjarët kërkojnë që autoritetet të veprojnë sa më shpejt dhe të garantojnë siguri për banorët e zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit