Sot bëhen tre ditë që kur krimi tronditi vendin, duke shënuar një nga atentatet më të mirëorganizuara në një nga zonat më të sigurta në vend, pikërisht në Aeroportin e Rinasit përpara hundës së policisë, vetëm 50 metër larg komisariatit.
Si gjithmonë, Policia mbërriti e fundit në vendin e ngjarjes, teksa autorët që udhëtonin me një automjet tip “Toyota” mundën të arratisen pa problem, duke i rënë rreth e rrotull aeroportit, dhe gjetur vendin e përshtatshëm për të djegur makinën e përdorur në ngjarje dhe për tu zhdukur pa gjurmë.
Policia mundi të gjejë në vendin e ngjarjes gëzhojat e breshërisë, makinën në të cilën udhëtonte Gilmando Dani bashkë me punonjësin e AMP-së Mustafa Sheqeri, dhe disa kilometër më tutje, makinën e autorëve bashkë me armët e përdorura.
Këto pamje të siguruara nga “TVA News” tregojnë makinën ku ndodhej Gilmando Dani, e cila është sjellë në komisariatin e Policisë ku po i nënshtrohet ekspertizës për të zbuluar gjurmë të mundshme të autorëve.
Sikurse mund të shihet, makina është e bërë “shoshë” nga plumbat, ndërkohë që hetimi duket se po bëhet në qiell të hapur, në parkimin e komisariatit. Këto pamje ngrenë dyshime mbi profesionalizmin e hetuesve dhe mundësinë për të ruajtur provat të paprishura.
Me këto ritme, autorët nuk do të kapen dhe për shumë kohë. Kujtojmë se më herët TVA ka raportuar se 24 orë pas ngjarjes, në Rinas kishte ende predha të qitura të cilat grupi i hetimit i kishte lenë pa mbledhur.
Në këto kushte ngrihet pyetja: A ka me të vërtetë policia qëllim për ta zbardhur këtë ngjarje?
Shkrimi u mor nga TVA News!