Ndërkohë që autoritetet financiare paralajmërojnë prej kohësh për rreziqet e kredive të pakontrolluara dhe huadhënies së papërgjegjshme, një institucion publik po lëviz në drejtim krejt të kundërt. Posta Shqiptare e drejtuar nga Etjen Xhafaj, ka nisur të funksionojë si pikë aplikimi për mikrokreditë, duke hapur sportelet e saj për kompani të njohura për interesat e larta dhe praktikat që kanë futur mijëra qytetarë në borxhe të pakthyeshme.
Në njoftimet e fundit, Posta e ka paraqitur këtë si një “mundësi të lehtë” financimi për qytetarët. Por pas kësaj oferte, fshihen kredi që shoqërohen me komisione të larta dhe norma interesi shumë më të mëdha se ato bankare, të cilat shpesh i futin aplikantët në spirale borxhesh nga të cilat është e vështirë të dalësh.
Personat që u drejtohen mikrokredive janë zakonisht ata që nuk i plotësojnë kushtet e bankave, individë me të ardhura të pasigurta, histori të keqe pagesash ose në kërkim të zgjidhjeve të shpejta për nevoja urgjente. Pikërisht kjo i bën ata shënjestrën ideale për skema të tilla, ku një shumë e vogël fillestare mund të shumëfishohet brenda pak muajsh.
![]()
Edhe pse vendi është tronditur për vite nga praktikat agresive të grumbullimit të borxheve dhe pasoja të rënda për familjet, përfshirë dy humbje jete të lidhura me presionet për pagesa, Posta Shqiptare në vend që të tërhiqet nga kjo fushë, po u ofron kompanive të mikrokredisë infrastrukturën e vet shtetërore për të zgjeruar aktivitetin.
Kjo lëvizje bie ndesh me paralajmërimet e vazhdueshme të autoriteteve financiare për kontroll më të fortë të aftësive paguese të qytetarëve dhe kufizimin e aksesit në kreditë e rrezikshme. Për shumë njerëz, fakti që një institucion publik po ndërmjetëson kredi të tilla shihet si tradhti ndaj misionit të tij: mbrojtja e interesit të qytetarëve, jo ofrimi i tyre në duart e huadhënësve me kushte të ashpra.
Një shembull i qartë i mënyrës se si zyrat shtetërore po rrezikojnë të shndërrohen në instrumente të zhvatjes financiare me vulën e shtetit.