Ministria e Brendshme lë pa dieta dhe pa shpërblim për shuarjen e zjarreve mbi 200 efektivë të FNSH

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2025, 22:25

Një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas tij, po prek mbi 200 efektivë të repartit në Tiranë. Bëhet fjalë për mos marrjen e pagesave të dietave për shërbimet e kryera jashtë kryeqytetit që prej datës 15 gusht.

Sipas denoncimit, efektivët kanë më shumë se dy muaj që presin shpërblimet financiare që u takojnë për detyrat e kryera jashtë territorit të Tiranës. Denoncuesi thotë se pagesat e dietave kryhen vetëm pasi Ministria e Brendshme miraton fondin përkatës, por deri më sot, sipas tij, ky proces nuk është realizuar, duke shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme në radhët e punonjësve.

Përveç dietave të papaguara, efektivët pretendojnë se nuk janë shpërblyer as për angazhimin në rastet e zjarreve, ku, sipas tyre, shumë prej tyre kanë rrezikuar jetën dhe kanë ndihmuar qytetarët. Denoncuesi thotë se këto shpërblime janë të miratuara me VKM, por se “ende nuk është dhënë asgjë”.

Deri në këto momente, nga Ministria e Brendshme nuk ka një reagim zyrtar për arsyet e vonesës dhe për afatet kur pritet të kryhet shlyerja e detyrimeve financiare ndaj efektivëve të FNSH-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit