Fitorja ndaj Andorrës nuk ishte thjesht një treshe pikësh, por një goditje e fortë në historinë e futbollit shqiptar. Kuqezinjtë e Sylvinhos u ngjitën zyrtarisht në elitë: Shqipëria është skuadra e parë europiane që siguron matematikisht vendin në play-off-in e Kupës së Botës 2026, duke blinduar pozicionin e dytë në Grupin K pa pritur fare sfidën e fundit.
Tani fokusi zhvendoset te marsi dhe te shorti vendimtar që do të hapë rrugën drejt Botërorit. Pyetja e madhe është: në cilën vazo do të qëndrojë Shqipëria? Vazoja e dytë është objektivi ideal, pasi garanton një ndeshje të parë play-off-i në “shtëpi”, përballë një rivali të vazos së tretë. Renditja e re e FIFA-s pritet të jetë vendimtare, ndërsa lëvizjet e kombëtareve në Europë – përfshirë ngjitjen e Islandës mbi Ukrainën – kanë përmbysur përkohësisht situatën.
Aktualisht, duke u bazuar në renditjen momentale, rivalët potencialë të Shqipërisë në play-off janë:
Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.
Gjithçka mbetet ende e hapur deri në finalizimin e pikëve, por me konfigurimin aktual, kuqezinjtë do të nisnin marshimin e tyre në play-off përpara publikut shqiptar.
VAZO 1: Itali, Turqi, Poloni, Hungari
VAZO 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Shqipëri
VAZO 3: Maqedoni e Veriut, Islandë, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë
VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut