Një përleshje, më pas një rënie nga kati i tretë dhe një i ri i vdekur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur natën e së enjtes, më 13 nëntor, në Monteverde të Romës, në rrugën “Via di San Calepodio”. Banorët e zonës, pranë stacionit Quattro Venti, kanë njoftuar menjëherë autoritetet pasi dëgjuan ulërima dhe zhurma të forta.
Kur mbërritën karabinierët e stacioneve Gianicolense dhe Roma San Pietro, bashkë me hetuesit e Nënndarjes së VII-të të Via In Selci, gjetën të riun Leonardo Fiorni, 27 vjeç, të shtrirë në tokë, në një pellg gjaku në zonën e brendshme të pallatit. Mjekët e emergjencës nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të konstatonin vdekjen.
Brenda apartamentit, që funksiononte si bed and breakfast, u gjet nga David Stojanovic, 25 vjeç, italo-shqiptar, i njohur i viktimës. Ai u shoqërua në komisariat, ku pas marrjes në pyetje u vendos në ndalim si i dyshuar për vrasje.
Sipas burimeve të RomaToday, të dy të rinjtë ishin miq dhe shpesh takoheshin pas punës në të njëjtin apartament për të kaluar kohë së bashku. I dyshuari punonte si shitës në qendër të Romës, ndërsa Fiorini ishte i punësuar dhe herë pas here flinte në atë dhomë për të shmangur udhëtimin e gjatë drejt Frosinones.
Megjithatë, dëshmia e 25-vjeçarit nuk i ka bindur hetuesit. Ai ka deklaruar se Fiorini kërcënohej të hidhte veten nga ballkoni dhe se ai kishte ndërhyrë për ta shpëtuar. Por disa dëshmitarë të pallatit flasin për zënka të forta, sharje dhe një përplasje edhe në ballkon, pak çaste para rënies fatale.
Sipas hipotezës paraprake të hetimit, mes dy të rinjve ka shpërthyer një konflikt që mund të ketë përfunduar me shtyrjen e Fiorinit nga ballkoni. Viktima u gjet pjesërisht i zhveshur, ndërsa 25-vjeçari rezultonte në gjendje të alteruar, ndoshta nën efektin e substancave apo ilaçeve.
Një banor i zonës deklaroi për Adnkronos:
“Dëgjoja ulërima, sharje dhe një djalë që, i gjysmë i zhveshur, dukej se mbante tjetrin për këmbët.”
Të tjerë fqinj thonë se dëgjuan thirrje për ndihmë dhe panë njerëz që kërkonin të çanin derën e apartamentit.
Trupi i viktimës është dërguar në varrezat e Veranos për autopsi, e cila pritet të përcaktojë nëse rënia ishte rezultat i një shtytjeje apo një akti vetëhedhjeje. Prokuroria dhe karabinierët po punojnë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes, marrëdhënien mes dy të rinjve dhe rrethanat që çuan në konflikt.
Po analizohen edhe celularët e të dyve, ndërsa dëshmitarët e pallatit mund të thirren sërish për deklarime të detajuara.