Atentati mafioz në Rinas: Dyshime për disa automjete të përfshira në ekzekutim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.11.2025, 15:18

Hetimet për atentatin e rëndë të 11 nëntorit në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP-së, Mustafa Sheqeri, po shtrihen tashmë në një tjetër pistë hetimore.

Policia ka dyshime të forta se autorët nuk kanë vepruar vetëm me një mjet, por me të paktën dy ose më shumë automjete të organizuara në role të ndryshme.

Sipas të dhënave të siguruara, Policia e Tiranës po verifikon një numër të konsiderueshëm automjetesh të kapura nga kamerat e sigurisë në pika të ndryshme: në rrethin e Rinasit, në parkingun e aeroportit, përgjatë perimetrit ku ndodhi atentati, si edhe në rrugët hyrëse e dalëse pranë aeroportit.

Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal ka qenë i strukturuar mirë dhe se secili mjet mund të ketë pasur një funksion specifik. Ndërsa ekzekutorët dyshohet se lëviznin me automjetin tip “Toyota”, mjetet e tjera mund të kenë shërbyer si mbështetëse — duke kryer rolet e vëzhguesve, informatorëve, koordinatorëve të lëvizjeve dhe monitoruesve të itinerarit të Gilmando Danit.

Aktualisht, grupi hetimor ka në duar qindra orë filmime nga kamerat e sigurisë, të cilat po analizohen me imtësi. Çdo automjet që shfaq lëvizje të dyshimta, ndalesa të pashpjeguara apo prani të pazakontë pranë zonës së atentatit, po i nënshtrohet verifikimeve të detajuara.

Burimet theksojnë se analiza e kësaj sasie të madhe pamjesh pritet të ndihmojë në rindërtimin e plotë të itinerarit të autorëve dhe në identifikimin e personave që mund të kenë luajtur rol në atentatin mafioz të Rinasit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit