Mbyllet burgu i Bënçës: 100 familje në Tepelenë mbeten pa punë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.11.2025, 14:38

Burgu i Bënçës ka mbyllur zyrtarisht dyert, duke sjellë pasoja të ndjeshme sociale dhe ekonomike për zonën e Tepelenës. Mbyllja e institucionit ka shkaktuar largimin masiv të stafit: rreth 70% e punonjësve kanë dhënë dorëheqjen pas vendimit për t’i transferuar në institucione të tjera, ndërsa pjesa e mbetur – afërsisht 30% – do të vijojë punën vetëm për tre muajt e ardhshëm, deri në përfundimin e proceseve të mbylljes.

Në total, rreth 100 punonjës kanë mbetur pa vend pune, duke shtuar shqetësimin për ndikimin që kjo situatë do të ketë mbi ekonominë lokale. Autoritetet ende nuk kanë dhënë informacion mbi planet për rikualifikimin e stafit apo krijimin e mundësive të reja të punës në zonë.

Aktualisht, po vijojnë procedurat e dorëzimit të godinës dhe transferimit të të dënuarve. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për përdorimin e ardhshëm të objektit dhe as për masat mbështetëse për punonjësit e prekur nga mbyllja. Kjo ndodh në një periudhë kur Tepelena përballet me nivele të larta papunësie dhe emigrim të vazhdueshëm të të rinjve.

I ndërtuar në vitet 1960, Burgu i Bënçës ka qenë një ndër institucionet më të njohura penitenciare të jugut të vendit, me kapacitet rreth 70 të dënuarish. Në dekada të ndryshme, ai ka funksionuar si repart sigurie dhe shpeshherë si burg “rezervë” i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjatë viteve, institucioni ka mbajtur të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekonominë e Tepelenës, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme për dhjetëra familje. Mbyllja e tij shënon fundin e një epoke më shumë se 60-vjeçare dhe hap një fazë pasigurie për komunitetin lokal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit