Rrugët e Durrësit janë kthyer shpeshherë në kurthe të padukshme për qytetarët, dhe një situatë e fundit tregon qartë mungesën e përgjegjësisë së Bashkisë. Një hapësirë e hapur në asfalt, e krijuar nga punonjësit e bashkisë dhe e mbushur me ujë nga një tub i shpërthyer, ka krijuar një rrezik të drejtpërdrejtë për ata që kalojnë çdo ditë nëpër qytet.
Nuk kishte asnjë shenjë paralajmëruese, as barriera sigurie. Një qytetare që ndodhej përballë kësaj pengese e shpëtoi vetëm me një përplasje të lehtë pasi ishte duke u kthyer dhe shpejtësia nuk ishte e madhe. Nëse nuk do të kishte ngadalësuar, ajo dhe djali saj mund të kishin përfunduar me pasoja tragjike.
Ky rast nuk është vetëm një fatkeqësi e shmangur, por një dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së Bashkisë. Lënia e asfaltit të prerë pa shenja paralajmëruese dhe pa masat minimale të sigurisë tregon një mungesë të thellë të kujdesit për qytetarët. Çdo qytetar që lëviz në rrugët e Durrësit mund të përballet me të njëjtat rreziqe.
Problemi nuk është vetëm aksidenti që nuk ndodhi, por mënyra sesi institucionet menaxhojnë infrastrukturën e qytetit. Siguria e qytetarëve nuk mund të lihet pas dore. Përgjegjësia e Bashkisë duhet të matet nga veprimet konkrete për parandalimin e tragjedive, dhe jo nga fatkeqësitë që ndodhin ose shmangen rastësisht.