Dy kushërinj, Saimir dhe Armand Nela, 31 dhe 34 vjeç, u arrestuan nga Policia e Tiranës, pasi u kapën me 2 pako që përmbanin 2 kg e 235 g kokainë në automjetin e tyre. Ata udhëtonin drejt zonës së quajtur “Treshi” në zonën e Institutit, ku makina u ndalua për kontroll nga shërbimet e policisë. Brenda automjetit u gjet edhe një pistoletë e dyshuar lodër, ndërsa kokaina ishte e fshehur brenda një qeseje me mbishkrimin “Nando”.
Policia njoftoi se shtetasit u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Hetimet paraprake tregojnë se ata furnizonin me kokainë qytetarë dhe grupe që e ndanin lëndën në doza për shitje në zona të ndryshme të kryeqytetit. Nga veprimet hetimore dyshohet se Saimir dhe Armand Nela shpërndanin drogën kryesisht në zonat e “Alliasit” dhe “Oxhakut”. Policia vijon hetimet për identifikimin e të gjithë individëve të përfshirë.