Muçi Shaljani, i plagosur në atentatin mafioz të 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, 40-vjeçari, agjent i AMP-së, mbetet i intubuar dhe nuk ka shfaqur përmirësim deri tani. Mjekët vijojnë të monitorojnë gjendjen e tij me kujdes.
Atentati ndodhi mesditën e 11 nëntorit, kur Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, u ekzekutua nga një breshëri plumbash. Në makinë, në pronësi të Elvis Kosovës, Shaljani ishte shofer, ndërsa Dani pasagjer. Autorët, që po lëviznin me një tjetër automjet, i zunë pritë dhe qëlluan me armë zjarri, duke shkaktuar vdekjen e Danit dhe plagosjen e Shaljanit.
Pas atentatit, autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Fushë-Krujës me një Toyota Yaris me targa greke, ndërsa makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur pak minuta më vonë në fshatin Halil. Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.