Ushqimi që po na sëmur dhe varësia nga produktet ultra të përpunuara

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.11.2025, 09:00

Ushqimi është një pjesë e pandashme e jetës sonë, duke përmbushur nevojat fiziologjike dhe duke ndikuar thellësisht në trupin dhe mendjen e njeriut. Shprehja “Ne jemi çfarë hamë” reflekton rëndësinë e madhe që ka dieta jonë për shëndetin fizik dhe mendor.

Në ditët e sotme, stili i jetës është gjithnjë më dinamik. Njerëzit nxitojnë për në punë ose shkollë, koha për përgatitjen e vakteve është e limituar, dhe konsumimi i ushqimit shpesh orientohet drejt produkteve të shpejta dhe të përpunuara. Si rezultat, dieta e përditshme ka pësuar një ndryshim drastik, me rritje të konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara (UPF).

Po çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara?

Sipas profesorit brazilian Carlos Monteiro, ushqimet ndahen në katër grupe: të papërpunuara, përbërës të përpunuar, ushqime të përpunuara dhe ushqime ultra të përpunuara. Këto të fundit, të njohura si UPF (Ultra-Processed Foods), janë produktet industriale që përmbajnë përzierje të shumë përbërësve si sheqer i shtuar, vajra të hidrogjenizuara, kripë, ngjyrues, aroma artificiale dhe aditivë kimikë.

UPF-të janë krijuar për të qenë të parezistueshme. Sheqeri, kripa dhe yndyrnat e tepërta "mashtrojnë" trurin, duke i dhënë ndjesi kënaqësie të menjëhershme. Në këtë mënyrë konsumatori ndjen nvojë t’i konsumojë shpesh. Në thelb, ato funksionojnë si një sistem varësie ushqimore.

Ushqimet ultra të përpunua me efekt ‘droge’

Një studim i fundit nga Universiteti i Miçiganit, i publikuar në Nature Medicine, tregoi se ushqimet ultra të përpunuara si chipsat, biskotat dhe pijet me gaz aktivizojnë qendrat e shpërblimit në tru në mënyrë të ngjashme me substancat narkotike. Konsumimi i tyre çon në dëshirë të pakontrolluar për të ngrënë, humbje vetëkontrolli dhe përdorim të vazhdueshëm pavarësisht pasojave shëndetësore.

Në nivel global, rreth 14% e të rriturve dhe 12% e fëmijëve shfaqin shenja varësie ndaj ushqimeve të tilla. Shkencëtarët ngrenë alalrmin se ndryshimet që ndodhin në tru tek individët

që konsumojnë rregullisht UPF janë të ngjashme me ato që vërehen tek varësia ndaj alkoolit ose kokainës. Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për mungesë vullneti, por për një reagim biologjik të trurit ndaj përbërësve të këtyre produkteve.

Marketingu, motori që shtyn konsumatorët drejt ushqimeve ultra të përpunuara

Industria ushqimore përdor marketingun për të manipuluar konsumatorët. Kompanitë shpenzojnë miliona euro për të krijuar reklama që lidhin produktet e tyre me lumturinë, miqësinë apo stilin modern të jetesës. Pijet e gazuara si Coca-Cola dhe Pepsi, snack-et si Lay’s dhe Doritos, apo zinxhirët e ushqimit të shpejtë si McDonald’s dhe KFC, përdorin imazhe që prekin emocionet e konsumatorit. Drithërat për fëmijë, si Kellogg’s apo Nesquik, reklamohen si “të shëndetshme”, edhe pse në fakt përmbajnë sasi të larta sheqeri.

Reklamat në rrjetet sociale, paketimet me ngjyra tërheqëse dhe ofertat krijojnë ndjesinë e kënaqësisë momentale. Por pas çdo blerjeje qëndron një mekanizëm i mirëfilltë psikologjik, i cili ushqen varësinë.

Ushqimet që dëmtojnë trupin dhe mendjen

Studimet evidentojnë se çdo rritje prej 10% në konsumin e ushqimeve ultra të përpunuara shoqërohet me rritje prej 17% të rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Gjithashtu, konsumi i lartë i këtyre produkteve lidhet me rritjen e obezitetit, sëmundjeve të zemrës, depresionit, madje edhe infertilitetit te gratë në moshë riprodhuese.

Për këtë arsye, shumë shtete kanë nisur të marrin politika konkrete kundrejt shitjes se ushqimeve ultra të përpunuara. Meksika ka qenë ndër shtetet e para që ka aplikuar një taksë mbi pijet e ëmbla, duke ulur konsumimin e tyre me mbi 20%. SHBA, Franca dhe Belgjika kanë vendosur objektiva për reduktimin e produkteve të përpunuara në treg. Ndërkohë, në Ballkan, vendet si Serbia dhe Bosnja-Hercegovina po fokusohen në etiketimin dhe transparencën e përbërësve.

Shqipëria përballë ushqimit ultra të përpunuar

Në Shqipëri, panorama nuk paraqitet optimiste. Rreth 50% e popullsisë së rritur është mbi peshë. Gjithashtu 17% e fëmijëve nën 5 vjeç janë mbipeshë, një përqindje shumë më e lartë se mesatarja botërore. Studimet tek adoleshentët evidentojnë se një në katër prej tyre është i mbipeshë ose në nivel obeziteti. Ky fenomen lidhet me ndryshimin e stilit të jetesës, por edhe me gjendjen ekonomike. Rreth 400 mijë shqiptarë nuk kanë mundësi financiare për të përballuar një dietë të shëndetshme, duke i drejtuar drejt produkteve të lira e të përpunuara që ofrojnë kalori, por jo ushqyeshmëri.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, dieta tradicionale mesdhetare, e pasur me fruta, perime, vaj ulliri dhe peshk, po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga ushqimet e gatshme, fast-food-et dhe pijet e gazuara. Nëse ky trend nuk frenohet, pasojat për shëndetin publik do të jenë të mëdha: rritje e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare, depresionit dhe ulje e jetëgjatësisë së popullsisë.

Koha për ndërgjegjësim

Në një realitet ku ushqimet ultra të përpunuara po bëhen pjesë e pandashme e tryezës sonë, ndërgjegjësimi, edukimi ushqimor dhe politikat mbrojtëse janë hapat e vetëm drejt një shoqërie më të shëndetshme. Zgjedhjet që bëjmë çdo ditë në pjatë janë, në fakt, zgjedhje për jetën tonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit