Një arsenal i madh armësh është zbuluar në Nikël të Fushë-Krujës gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur më 11 nëntor pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, i njohur edhe me nofkën “Sheqeri”.
Sipas burimeve hetimore, arsenali dyshohet se i përkiste një personi që mendohet të ketë furnizuar me armë autorët e atentatit. Ai është shpallur tashmë në kërkim.
Gjatë kontrollit u gjetën armë të ndryshme, mes tyre automatikë, mitraloz, granata, lëndë plasëse, fitil zjarrpërçjellës, si dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm. Hetuesit raportojnë gjithashtu se në arsenalin e sekuestruar kishte pajisje të lidhura me celularë, të përgatitura për shpërthime nga distanca, çka ka ngritur dyshime për plane të tjera kriminale.
Atentati ndaj Danit dhe Shaljanit ndodhi pak pasi ata ishin kthyer nga Barcelona. Autorët i kishin pritur për të paktën 10 minuta në rrethrrotullimin e Rinasit, duke përdorur një automjet tip “Toyota”, nga ku tre prej tyre zbritën dhe qëlluan me breshëri drejt Mercedesit të bardhë ku ndodheshin dy viktimat. Personi i katërt, shoferi, nuk ka zbritur nga mjeti, duke e drejtuar atë drejt Fushë-Krujës pas ekzekutimit. Më pas mjeti u dogj në fshatin Halil.
Hetimet kanë zbuluar se Toyota e përdorur në atentat ishte vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023, ndërsa targat, po greke, rezultonin të ishin vjedhur një vit më vonë, në vitin 2024. Kjo ka shtuar dyshimet e hetuesve se atentatorët kanë planifikuar me kujdes logjistikën e ngjarjes.
Gilmando Dani ishte liruar nga burgu në vitin 2024 dhe konsiderohej një nga njerëzit e besuar të Emiljano Shullazit, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale. Pavarësisht faktit që ngjarja mbart elementë të qartë të një grupi të strukturuar kriminal, çështja po hetohet ende nga Prokuroria e Tiranës. Deri tani, nuk është bërë asnjë kërkesë zyrtare për t’ia kaluar kompetencën SPAK-ut.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë të gjithë rrjetin logjistik që çoi në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.