Një ngjarje e rëndë është raportuar pak minuta më parë në zonën e Laprakës, ku një taksi ka shtypur një qen endacak dhe është larguar pa u ndalur as edhe për një moment. Sipas denoncimit të qytetarit, shoferi ka vijuar rrugën sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke lënë kafshën e aksidentuar në gjendje të rëndë.
Dëshmitari tregon se qeni, në gjendje paniku, është larguar me vrap menjëherë pas goditjes. Megjithatë, sipas tij, ky reagim është tipik pas një traume të fortë dhe mund të fshehë dëmtime serioze që shfaqen më vonë. “Taksia i kaloi totalisht sipër. Qeni u ngrit vetëm nga adrenalina,” – shprehet ai.
Qytetari kërkon që institucionet të ndërhyjnë, si dhe që kompania e taksive të identifikojë drejtuesin dhe të marrë masa ndaj tij. Sipas tij, një person që largohet pas një incidenti të tillë nuk duhet të transportojë pasagjerë dhe nuk mund të quhet drejtuese i përgjegjshëm, aq më pak një taksi e cila është në shërbim të qytetarëve.
Rastet e braktisjes së vendit të aksidentit, sidomos kur përfshihen kafshë të pambrojtura, vijojnë të ngjallin indinjatë publike. Ky incident është një tjetër sinjal i qartë për mungesën e etikës në rrugë dhe nevojën për përgjegjësi minimale njerëzore.
Ky episod nuk është thjesht një aksident, por një provë e hidhur se sa pak vlerë i jepet jetës së një qenieje të pafajshme në Shqipëri. Një shofer që i kalon sipër një kafshe dhe largohet pa kthyer kokën, nuk është problem vetëm për qentë e rrugës, është rrezik për çdo qytetar që i hipën në makinë.
JOQ u bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të marrin masa të menjëhershme ndaj shoferit. Sot një kafshë por nesër mund të jetë një njeri.