Banorët e zonës së Maminasit kanë ngritur alarmin për një situatë të rëndë mjedisore që, sipas tyre, po përsëritet çdo natë. Ata thonë se në orët e vona, kur zona është e qetë dhe njerëzit janë në gjumë, mbi rrugën dytësore të Maminasit shpërndahet një re e rëndë tymi, e cila dyshohet se vjen nga fabrika e tullave pranë zonës.
Sipas denoncimit të ardhur në redaksi, tymi i prodhuar në orët e natës është aq i dëndur dhe i dëmshëm sa banorët e përshkruajnë situatën të rrezikshme për shëndetin. Ata shprehen se prej kohësh përballen me këtë ndotje të heshtur, ndërsa askush nuk ka marrë masa për ta ndalur.
“Njerëzit flenë dhe helmimi vazhdon. Nuk mund të hapim dritaret, nuk mund të marrim frymë normalisht. Çdo natë e njëjta histori,” shprehet një banor, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të autoriteteve dhe inspektoriateve përgjegjëse.
Banorët kërkojnë monitorim të situatës, matje të nivelit të ndotjes dhe transparencë mbi përbërjen e tymit që shpërndahet në ajër. Ata thonë se nuk mund të jetojnë më “nën helmim”, ndërsa fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit.
Ngjarja hedh sërish dritë mbi problemin e vjetër të ndotjes industriale në zonat periferike, ku aktivitetet e fabrikave shpesh zhvillohen pa kontroll të plotë nga autoritetet.
Banorët apelojnë që situata të trajtohet sa më shpejt, përpara se dëmet në shëndet dhe mjedis të bëhen edhe më të rënda.