Kërkimet për avionin zjarrfikës turk që u zhduk pasditen e sotme në Kroaci kanë përfunduar me tragjedi. Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Ibrahim Yumakli, ka konfirmuar se avioni është rrëzuar dhe piloti ka humbur jetën.
Sipas tij, avioni i tipit AT802 u gjet pranë qytetit Senj, Të dhënat paraprake bëjnë me dije se dy avionë zjarrfikës ishin nisur nga Çanakala të mërkurën, me destinacion Zagrebin, për një mirëmbajtje të planifikuar. Për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ata qëndruan një natë në Rijeka, ndërsa të enjten pasdite u nisën sërish drejt destinacionit.
Sipas ministrisë turke, përkeqësimi i motit i detyroi avionët të ktheheshin, por vetëm njëri arriti të ulej në mënyrë të sigurt. Kontakti me avionin e dytë u humb rreth orës 18:25.
Burime lokale në Kroaci raportuan se rreth orës 17:11 ishte marrë një sinjal për një “avion në flakë”, duke bërë që shërbimet e emergjencës të mobilizoheshin menjëherë dhe të rrethonin zonën për siguri.
Ambasada turke në Kroaci ka dërguar një ekip në vendngjarje për të ndihmuar në hetime. Autoritetet turke dhe kroate pritet të publikojnë detaje të tjera mbi shkaqet e rrëzimit sapo të përfundojnë hetimet e para.