Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj disa anëtarëve të familjes shqiptare Hysa, që jetojnë dhe veprojnë në Meksikë, duke i akuzuar për pastrim parash në bashkëpunim me kartelin e fuqishëm të drogës Sinaloa.
Sipas njoftimit, “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG)” ka përdorur një rrjet kazinosh, lokalesh bastesh dhe restorantesh luksoze në Meksikë për të shpëlarë paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve. Në total, në listën e zezë janë përfshirë 27 individë dhe entitete të lidhura me këtë aktivitet.
Në listë përfshihen Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa, të cilët, sipas dokumenteve amerikane, kanë pasur rol qendror në operacionet e pastrimit të parave përmes kompanisë meksikane Entretenimiento Palmero S.A. de C.V., si dhe përmes disa bizneseve të tjera në Meksikë dhe Evropë.

Hetimet kanë zbuluar se Luftar dhe Arben Hysa kanë përdorur edhe një rrjet kompanish me bazë në Evropë për të investuar fondet e ardhura nga aktivitetet e paligjshme, ndërsa sasi të mëdha parash janë kontrabanduar drejt Shteteve të Bashkuara përmes bashkëpunëtorëve lokalë.
Emri i familjes Hysa është përmendur më herët edhe nga mediat meksikane, të cilat raportojnë se lideri i kartelit Ismael “El Mayo” Zambada García ka krijuar lidhje të ngushta me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa. Katër vëllezërit rezultojnë gjithashtu ortakë me biznesmenin shqiptar Besnik Lulaj, pronarin e kompleksit “Marina Bay” në Vlorë, duke zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri.
![]()
Në të kaluarën, Luftar Hysa është parë në një vizitë në Kryeministrinë e Shqipërisë, ku është takuar me Edi Ramën, në prani të deputetit gjerman të CDU/CSU, Mark Hauptmann, dhe Dorian Duçkës, ish-këshilltar për investimet e huaja pranë Kryeministrit. Ky takim ka ndodhur më 4 tetor 2020, dhe u raportua në media si pjesë e një vizite për promovimin e investimeve të huaja, por pas zhvillimeve të fundit ai ka rihapur debatet mbi lidhjet e mundshme mes biznesit dhe politikës.
Sipas sanksioneve të shpallura nga Thesari amerikan, çdo aset i familjes Hysa në SHBA ose që kalon përmes sistemit financiar amerikan është i bllokuar, ndërsa ndalohet çdo transaksion me persona apo kompani amerikane pa leje të posaçme nga autoritetet.
Familja Hysa ka mohuar publikisht çdo përfshirje në aktivitet kriminal, por masat e fundit të SHBA-së e vendosin përfundimisht në listën e zezë të sanksioneve financiare ndërkombëtare.