OJF Drejtësi Sociale ka dënuar ashpër ngjarjen e transmetuar në emisionin “Super Gol” në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ku një futbollist me ngjyrë, pjesë e ekipit të Burrelit, u bë objekt talljeje dhe batutash për shkak të ngjyrës së lëkurës. Ky rast shfaq një racizëm të hapur që ndikon në imazhin e përgjithshëm të medias publike dhe rrezikon të ndikojë negativisht në shoqërinë tonë.
Kjo ngjarje nuk është një “shaka” e pafajshme, por një shenjë e një fenomeni të rrënjosur të diskriminimit dhe urrejtjes ndaj personave me ngjyrë ose të huaj në Shqipëri. Organizata thekson se normalizimi i gjuhës raciste në media, sidomos në kanale publike, tregon nevojën e urgjencës për ndërhyrje dhe ndryshim kulturor.
Në terrenin tonë dhe studimet e shumta, Drejtësi Sociale ka konstatuar që personat afrikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri përballen çdo ditë me racizëm, shfrytëzim ekonomik dhe izolim social. Atyre shpesh u mohoen të drejtat minimale të punës dhe u mbahen peng pasaportat, duke u detyruar të punojnë në kushte skllavërore ose të përballen me diskriminim në mënyrë institucionale dhe shoqërore.
Organizata kërkon masa konkrete:
Hetim të plotë dhe transparencë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive ndaj RTSH-së.
Kërkesë për falje publike nga RTSH dhe trajnim për etikën dhe diversitetin e stafit të saj.
Reagim nga Këshilli i Etikës në Media dhe organizatat e gazetarëve kundër praktikat e pambështetura.
Reagim i Federatës Shqiptare të Futbollit për të dënuar publikisht aktin racist të moderatores në emision.
Hartim dhe zbatim i politikave shtetërore kundër racizmit dhe diskriminimit të të huajve në Shqipëri.
Racizmi është formë e dhunës dhe shprehje e urrejtjes që cenon vlerat demokratike të shoqërisë. Solidariteti me të prekurit nga kjo fenomen është detyrë e secilit prej nesh për të ndërtuar një komunitet të bazuar në respekt dhe barazi.