Mbrëmjen e sotme, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Andorrën, në një sfidë që, në kombinim me rezultatin e ndeshjes mes Anglisë dhe Serbisë, mund të dërgojë kuqezinjtë drejt playoff-it të Botërorit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Trajneri Sylvinho duket se ka vendosur formacionin për këtë përballje, i cili pritet të jetë thuajse identik me atë të përdorur ndaj Serbisë më 11 tetor. Ndryshimi i vetëm është se përballë Andorrës pritet të startojë Nedim Bajrami, ndërsa Uzuni që ishte titullar në ndeshjen historike ndaj Serbisë do të nisë nga stoli.
Formacioni i mundshëm për kuqezinjtë pritet të jetë me skemën 4-2-3-1: Thomas Strakosha do të qëndrojë në portë, ndërsa mbrojtja e palëvizhme nga Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj. Në mesfushë, Julian Shehu dhe Kristjan Asllani do të sigurojnë kontrollin e lojës, ndërsa Armando Broja, Qazim Laci dhe Nedim Bajrami do të mbështesin sulmuesin qendror, Rey Manaj.
Takimi ndaj Andorrës do të nisë në orën 20:45 dhe do të luhet në stadiumin "FAF", me shpresën që kuqezinjtë të arrijnë një fitore vendimtare në rrugën drejt Botërorit.