Sonte, në orën 20:45, kuqezinjtë zbresin në fushën e stadiumit “FAF” në Andorrë, për ndeshjen e vlefshme të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.
Trajneri Silvinjo ka grumbulluar 25 futbollistë për dy sfidat e fundit të këtij cikli, ndaj Andorrës dhe Anglisë, duke kërkuar maksimumin për të mbajtur gjallë ëndrrën e madhe të Botërorit.
Në kampin kundërshtar, trajneri i Andorrës ka habitur me deklaratat e tij:
“Kemi punuar vetëm 4 orë për Shqipërinë. Nëse mbrojmë 4-5 metra para zonës, mund të bëjmë një lojë të mirë,” – është shprehur ai.
Takimi i mbrëmjes së sotme do të drejtohet nga Horatiu Fesnic, ndërsa asistentë do të jenë Valentin Avram dhe Alexandru Cerei. Rares Vidican do të jetë arbitër i katërt, ndërsa në VAR do të gjenden rumunët Ovidiu Haţegan dhe Adrian Costreie.
Pas kësaj përballjeje, kuqezinjtë do të mbyllin kualifikueset më 16 nëntor, në “Air Albania”, ku do të presin Anglinë, në orën 18:00, një ndeshje që pritet të jetë spektakolare.
Në renditjen aktuale të Grupit K, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 11 pikë. Një fitore sonte ndaj Andorrës, e kombinuar me humbjen e Serbisë ndaj Anglisë në Londër, do t’i siguronte kuqezinjve kualifikimin në play-off.