Një tragjedi e rëndë ka ndodhur pranë bregut të Libisë, ku një anije me emigrantë është përmbytur, duke shkaktuar zhdukjen e 42 personave. Në bord ndodheshin gjithsej 49 persona, përfshirë sudanezë, somalezë, kamerunas dhe nigerianë.
Anija kishte nisur udhëtimin nga qyteti Zuëara më 3 nëntor. Shtatë persona kanë mbijetuar dhe u shpëtuan më 8 nëntor, pas qëndrimit gjashtëditor në det.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka paralajmëruar për nevojën urgjente të krijimit të rrugëve të sigurta për emigrantët dhe për operacione shpëtimi më efektive në Mesdheun Qendror, ku mbi 1,000 persona kanë humbur jetën vetëm këtë vit.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe agjencitë e OKB-së kanë akuzuar rojet bregdetare libiane për dhunë dhe shkelje të të drejtave të migrantëve. Si pasojë, disa koalicione evropiane për kërkim dhe shpëtim kanë ndërprerë bashkëpunimin me Libinë.
Mesdheu Qendror vazhdon të mbetet rruga kryesore e emigrantëve drejt Bashkimit Evropian, me mbi 58,000 përpjekje kalimi deri më tani këtë vit. Libia është kthyer në një pikë tranziti kyçe për emigrantët që kërkojnë të arrijnë Europën.