Një tjetër tender i zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, ngjall dyshime për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit. Fjala është për procedurën me fond limit rreth 800 mijë euro (76.3 milionë lekë), që kishte për objekt “Mirëmbajtjen e Sistemit elektronik e-Inspektimi për Inspektoratin Qendror”.
Në garë kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, por vetëm njëri prej tyre ka konkurruar realisht. “Infosoft System” dhe “Infosoft Business Solution”, që kanë paraqitur ofertë në vlerën 73.2 milionë lekë, dolën fitues me një diferencë modeste prej 20 mijë eurosh nga fondi limit.
![]()
Dy konkurentët e tjerë, “Ikub Info” dhe “Noal” shpk, kanë hyrë në garë me ofertë “zero lekë”, duke e bërë të pamundur vijimin e pjesëmarrjes së tyre. Si pasojë, “Infosoft” mbeti i vetmi ofertues valid dhe për rrjedhojë, e fitoi tenderin pa konkurrencë reale.
Burime pranë sektorit IT thonë se kjo praktikë, ku kompani të njohura paraqiten me ofertë “zero” thjesht për të parë çmimet e rivalëve, është e përhapur por në këtë rast, fakti që një nga këto kompani është vetë “Ikub Info”, një aktor kryesor në tregun publik të teknologjisë, e bën situatën edhe më të çuditshme.
![]()
Nëse “harrimi” për të paraqitur një ofertë të vlefshme ishte thjesht neglizhencë apo një “dhuratë” për “Infosoft”-in, kjo mbetet për t’u hetuar. Për momentin, ajo që dihet është se AKSHI nën drejtimin e Lindës ka shpërndarë edhe një herë qindra mijëra euro përmes një gare “sa për sy e faqe”.