Një moment që duhej të ishte krenari teknologjike për Rusinë, është kthyer në një turpërim publik. Roboti i parë humanoid rus me inteligjencë artificiale, i quajtur AIdol, ka pësuar një defekt të sikletshëm gjatë prezantimit të tij zyrtar në një event teknologjik në Moskë.
Sipas Newsweek, roboti, i cili u prezantua si “krijimi më i avancuar rus me përbërës vendas”, ra në skenë sapo hyri, ndërsa në sfond po dëgjohej melodia legjendare e filmit Rocky.
Pamjet e publikuara nga mediat e pavarura ruse tregojnë stafin duke vrapuar për ta ngritur dhe për ta fshehur pas një ekrani, ndërsa disa pjesë të robotit dukeshin të thyer në dysheme.
Ngjarja ka bërë xhiron e rrjeteve, duke u komentuar gjerësisht si një simbol i “forcës teknologjike” që Kremlini mundohet të shfaqë me çdo kusht.