Vetëm pak ditë pasi “lideri global” nga Tirana qetësoi kontinentin duke deklaruar me siguri të plotë se Rusia “nuk do të sulmojë asnjë vend europian”, miku i tij i afërt, Aleksandar Vuçiç, duket se nuk e ndan të njëjtin optimizëm.
Presidenti serb paralajmëroi se Europa po ecën me ritme të shpejta drejt një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë, duke thënë për televizionin “Pink” se “lufta midis Europës dhe Rusisë po bëhet çdo ditë e më e afërt.”
“Ky nuk është thjesht një diskutim i kotë,” tha Vuçiç, duke shtuar se “të gjithë në BE po përgatiten për këtë.” Ai përmendi me shqetësim planin e Gjermanisë për të investuar 436 miliardë dollarë në ushtri, ndërkohë që edhe Rumania, Polonia dhe Finlanda po armatosen me shpejtësi. “Një garë e tillë armatimi mund të çojë vetëm në luftë,” paralajmëroi presidenti serb.
Nga ana tjetër, ndoshta Rama, si “garant i paqes europiane”, mund t’i shpjegojë Vuçiçit se s’ka pse të shqetësohet, Rusia s’ka ndërmend të sulmojë askënd. Sepse kur “garancia” vjen nga Tirana, pse të mos e besojë edhe Beogradi?
E ndërsa kancelaritë europiane po rrisin buxhetet ushtarake, Putini ndjek nga Moska dhe akuzon Perëndimin se po shpik kërcënime imagjinare për të justifikuar armatimet.
Por mesa duket, vetëm një zë në kontinent ka mbetur ende i qetë: ai i “liderit global” që i siguroi të gjithë se gjithçka është nën kontroll.