Banorët e rrugës “Abdulla Ahmeta” në Shkozë, Dajt, prej vitesh po përballen me një situatë të padurueshme për shkak të mungesës së infrastrukturës. Rruga është në gjendje të amortizuar, pa asfalt, pa ndriçim dhe pa puseta, duke e kthyer çdo ditë në një sfidë për banorët e zonës.
Sipas pamjeve të dërguara nga qytetarët, sa herë bie shi, rruga mbushet me baltë dhe ujë, duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin për këmbësorët dhe automjetet. Banorët thonë se fëmijët e kanë të vështirë të shkojnë në shkollë, ndërsa të moshuarit dhe familjet me makina përballen me dëmtime të përditshme për shkak të gropave dhe terrenit të rrëshqitshëm.
“Rruga jonë është lënë në harresë. Nuk kemi asfalt, nuk kemi drita, nuk kemi as puseta. Sa herë bie shi, shtëpitë tona rrethohen nga balta dhe ujërat. Fëmijët mezi shkojnë në shkollë. Kërkojmë që Bashkia Tiranë të marrë masa sa më parë”, – shprehen banorët.
Ata apelojnë ndaj Bashkisë Tiranë që të mos e injorojë më këtë problem, por të ndërhyjë menjëherë për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës “Abdulla Ahmeta”, në mënyrë që banorët të jetojnë në kushte normale dhe me dinjitet.