Të tjera pamje tronditëse janë publikuar nga atentati i ndodhur pasditen e djeshme në Rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Mustafa Shaljani, i njohur si “Sheqeri”.
Në videot e reja shihet momenti kur tre persona i zënë pritë automjetit tip “Mercedes Benz” ku udhëtonin Dani dhe Shaljani. Autorët hapin zjarr me breshëri, ndërsa makina ndalon sapo dëgjohen të shtënat e para. Më pas, një tjetër person afrohet dhe qëllon nga afër drejt automjetit për t’u siguruar që Danit i është dhënë “goditja finale”.
Sipas burimeve, viktima kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona disa orë para ngjarjes, bashkë me 40-vjeçarin Muçi Shaljani, punonjës i AMP-së. Dyshja kishin marrë në parkimin e aeroportit një automjet të bardhë, i cili u shndërrua në shënjestër vetëm pak metra më vonë.
Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Deri tani, autorët e atentatit nuk janë identifikuar dhe policia po vijon hetimet për të zbuluar motivin dhe lidhjet pas këtij ekzekutimi të përgjakshëm.