Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy punonjës policie, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar në mënyrë të parregullt Vërtetimin e Besueshmërisë në procesin e rekrutimit të shtetasit Muçi Shaljani, duke mos pasqyruar në dokument të dhëna që përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, në pranga kanë rënë:
Nënkomisari Bruno Cara, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe
Inspektori Ashim Zajmi, me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.
Të dy efektivët akuzohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Vërtetimi i Besueshmërisë është një proces ligjor që synon kontrollin dhe verifikimin e figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe të kandidatëve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e saj. Ky proces ka për qëllim garantimin e integritetit, moralit dhe ligjshmërisë së sjelljes së punonjësve të policisë.
Ngjarja lidhet me emrin e Muçi Shaljanit, i cili një ditë më parë u plagos gjatë një atentati pranë Aeroportit të Rinasit, ndërsa drejtonte një makinë luksoze. Në të njëjtin automjet ndodhej edhe Gilmando Dani, i cili mbeti i vdekur në vendngjarje.