Pamjet që po qarkullojnë në rrjet zbulojnë detaje tronditëse nga atentati mafioz i ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa mbeti i plagosur Muçi Shaljani, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Nga regjistrimet e sigurisë, shihet se ngjarja ka ndodhur brenda më pak se një minute, në rrethrrotullimin kryesor të Rinasit. Në pamje dallohet automjeti i bardhë luksoz ku ndodheshin Dani dhe Shaljani, teksa hyjnë në rrethrrotullim. Në atë moment, makina e autorëve u afrohet nga ana tjetër e rrugës. Më pas, fillon breshëria e armëve automatike, duke e kthyer skenën në një ekzekutim të pastër mafioz.
Në video shfaqet qartë momenti kur automjeti i viktimave ndalon në mes të rrugës, ndërsa përballë tij qëndron një taksi. Pak çaste më pas, një mjet “Toyota” ndalet pranë rrethrrotullimit dhe nga ai zbret një prej autorëve, i maskuar dhe i veshur me rroba që ngjajnë me ato të policisë. Ai afrohet me gjakftohtësi pranë makinës së Danit dhe hap zjarr nga afër, duke qëlluar në drejtim të vendit të pasagjerit.
Pas të shtënave të para, autori kthehet me nxitim drejt “Toyotës”, ndërsa nga brenda makinës dëgjohen të tjera breshëri kallashnikovi në drejtim të Benzit të bardhë. Menjëherë pas ekzekutimit, autorët largohen me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku më vonë është gjetur i djegur automjeti i tyre bashkë me katër armë zjarri të përdorura në ngjarje.
Hetimet po vijojnë për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur të plotë organizimin e atentatit, i cili sipas burimeve të hetimit, mban shenjat e një operacioni të planifikuar me përpikëri dhe profesionalizëm të lartë kriminal.
Momenti i ekzekutimit, qitësi gjakftohtë zbret nga makina dhe qëllon për vdekje Gilmando Danin pic.twitter.com/KrRWuSBqTK
— JOQ Albania (@JoqAlbania) November 12, 2025