I dënuari për grup të strukturuar kriminal, Emiljano Shullazi, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të ditës së sotme për dosjen “Revanshi”. Mungesa e tij vjen vetëm një ditë pas vrasjes së mikut të ngushtë, Gilmando Dani, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit. Dani, i njohur si krahu i djathtë i Shullazit, u qëllua për vdekje në një atentat mafioz që ka tronditur botën e krimit në vend.
Operacioni i SPAK, i koduar “Revanshi”, ka goditur shtatë grupe të strukturuara kriminale në disa qytete të Shqipërisë, duke çuar në firmosjen e 50 urdhërarresteve për bosë dhe anëtarë të organizatave të fuqishme kriminale. Gjatë aksionit janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 4.5 milionë euro, përfshirë automjete të blinduara, flori, para cash, armë zjarri dhe pajisje të ndryshme luksoze.
Sipas hetimeve, në qendër të këtyre grupeve qëndronte rrjeti i Ervis Martinajt, i cili kishte krijuar aleanca me grupin e ish-deputetit Arben Ndoka, ndërsa në konflikt të hapur me ta ishte grupi i Durim Bamit. SPAK ka zbuluar se edhe nga qelia, Emiljano Shullazi dhe Avdylajt kanë ndihmuar në planifikimin e atentateve kundër rivalëve, duke përfshirë edhe vrasjen e Bamit. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu disa ish-zyrtarë policie dhe politikanë, duke nxjerrë në pah një rrjet të gjerë bashkëpunimi mes krimit dhe strukturave shtetërore.