Pas atentatit të përgjakshëm pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një punonjës i AMP-së, qeveria shqiptare ka gjetur zgjidhjen e saj magjike për sigurinë publike, emërimin e Xhemal Qefalisë si zëvendësministër të Brendshëm. Sepse kur kallashnikovët kërcasin, Rama përgjigjet me një dekret të ri.
Në vend që të kërkohet pse në një zonë super të populluar, krimi lëviz i lirë, kryeministri mendoi se rendi mund të shpëtohet me një zv/ ministër të ri pranë Ministres Kociu. Tashmë qytetarët mund të ndihen të qetë! Ndonëse policët nuk kanë armë, shumë efektivë janë shokë me kriminelë, vrasjet ndodhin përditë, në betejë hyn edhe Qefalia, gati për të forcuar sigurinë kombëtare.
Qefalia, që vetëm disa muaj më parë nuk arriti të siguronte votat për deputet, tani merr në dorë fatet e sigurisë së vendit. Me gjasë, bandat do të ndalojnë së shtëni sapo të mësojnë se ai është bërë zv/ministër. Tani shqiptarët duhet të jenë të qetë sepse nuk do të ketë vrasje.
Ndërkohë, në terren, policët vazhdojnë të punojnë me armë që bllokohen, uniforma të grisura dhe jelekë që mungojnë. Por s’ka problem tani kemi Qefalinë! Rama nuk shkarkoi ministren për dështimin e sigurisë në Rinas, por emëroi një socialist tjetër në ministrinë që me plot kuptimin e fjalës ka dështuar të mbrojë shqiptarët të cilët i ruan vetëm Zoti.
Tashmë me Qefalinë nga pas Albanës, siguria publike është e garantuar... të paktën në ëndërr.