KUSHDO KA MUNDËSI TË KONTRIBUOJË NË LINKU-N E GOFUNDME
Një aksident i rëndë rrugor ndodhi më 2 nëntor në aksin “Strum–Roskovec”, ku humbi jetën 33-vjeçari Klajdi Hoxha, banor i fshatit Strum. Dy automjete u përplasën mes tyre dhe më pas goditën motorin që ai drejtonte, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Klajdi po kthehej nga puna në sera, aty ku punonte çdo ditë për të siguruar bukën e gojës për familjen e tij. Lajmi i tragjedisë ka tronditur të gjithë zonën, ndërsa banorët e njohin Klajdin si një djalë punëtor, të qetë dhe të përkushtuar ndaj familjes.
I riu ishte baba i dy fëmijëve të mitur dhe mbështetësi i vetëm i familjes, pasi babai i tij vuan nga aftësi të kufizuara mendore dhe askush tjetër nuk ka të ardhura. Familjarët tregojnë se Klajdi kishte vetëm një ëndërr që fëmijët e tij të rriteshin me dashuri, arsim dhe mundësi më të mira se ai. Pas vdekjes së tij, familja kërkon ndihmë që kjo ëndërr të mos shuhet bashkë me të. Çdo kontribut do të shkojë për shkollimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve, të cilët sot kanë mbetur pa babain e tyre dhe pa asnjë mbështetje ekonomike.
Ndërkohë, familja e të ndjerit shpreh zhgënjim dhe dhimbje për mënyrën si po trajtohet ngjarja nga autoritetet. Të dy shoferët e automjeteve të përfshira në aksident janë lënë të lirë vetëm pak ditë pas ngjarjes, çka ka shtuar ndjesinë e padrejtësisë. Ata kërkojnë hetim të plotë dhe drejtësi për jetën e humbur të Klajdit, ndërsa komuniteti i Strumit është bashkuar në thirrjen për ndihmë ndaj fëmijëve që mbetën jetimë në moshë të vogël.