Një ngjarje e rëndë tronditi pasditen e djeshme zonën pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani Sheqeri.
Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime të forta se autorët e atentatit kanë pasur informatorë që prej Spanjës, pasi fluturimi me të cilin udhëtonte Dani ishte shtyrë për disa orë. Fillimisht, avioni duhej të mbërrinte në orët e para të mëngjesit, por udhëtimi u vonua dhe mbërritja ndodhi gjatë mesditës, moment që duket se është shfrytëzuar nga atentatorët për të goditur.
Të dhënat paraprake tregojnë se automjeti i autorëve, një “Toyota”, ka qëndruar rreth 10 minuta i ndaluar në rrethrrotullim, duke pritur mbërritjen e makinës ku ndodhej Dani. Menjëherë pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në të njëjtin drejtim nga kishin ardhur.
Një tjetër detaj që ka ngritur dyshime tek hetuesit është fakti se gjatë momentit të ngjarjes, e gjithë zona nga Nikla deri në Rinas ka qenë pa energji elektrike. Kjo ka bërë që kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të mos regjistrojnë asnjë pamje të lëvizjeve të mjetit të autorëve, duke e vështirësuar ndjeshëm hetimin.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar se kush fshihet pas këtij atentati të mirëorganizuar, i cili duket se është përgatitur me kujdes dhe me informacion të detajuar për lëvizjet e viktimës.