Një detaj i ri ka dalë në dritë nga hetimet për atentatin ndaj Gilmando Danit dhe plagosjen e Muçi Shaljanit pranë aeroportit të Rinasit. Mesditën e ngjarjes, zona e Niklës prej nga dyshohet se u nisën autorët ka qenë pa energji elektrike për disa minuta, në një kohë që përkon me momentin kur “Toyota” me targa greke lëvizi drejt Rinasit. Për shkak të ndërprerjes së energjisë, asnjë nga kamerat e sigurisë në atë zonë nuk ka arritur të regjistrojë lëvizjet e automjetit të atentatorëve.
Ky fakt ka vështirësuar ndjeshëm punën e grupit hetimor, pasi mungesa e pamjeve filmike ka ndërprerë zinxhirin e provave që mund të ndihmonin në identifikimin e autorëve. Hetuesit po verifikojnë nëse mungesa e energjisë ka qenë e rastësishme apo e planifikuar, duke ngritur dyshime se mund të jetë pjesë e organizimit të atentatit, i konsideruar ndër më të sofistikuarit e viteve të fundit.
Autorët, pas ekzekutimit të Danit në afërsi të aeroportit, u larguan me shpejtësi dhe dogjën mjetin e tyre në fshatin Halil të Fushë Krujës. Ndërkohë, policia po kërkon të rindërtojë itinerarin e plotë të “Toyotës” dhe të zbulojë nëse ndërprerja e energjisë në Nikël u përdor qëllimisht për të shmangur çdo gjurmë në kamerat e sigurisë.