Me ardhjen e dimrit dhe reshjeve të shiut, Bashkia Tiranë është kujtuar për kryerjen e detyrave të saj dhe një prej këtyre detyrave lidhet me prerjen e pemëve të thara ose të vjetra që rrezikojnë rënien në raste stuhish.
Gjatë këtyre ditëve, punëtorët e ndërmarrjes së pastrimit dhe gjelbërimit kanë prerë e krasitur me dhjetëra pemë në kryeqytet, por punën s'e kanë çuar deri në fund.
Një banor i zonës së 'Vasil Shantos' i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar këtë problematikë. Ai thotë se para 3 ditësh, punëtorët e bashkisë kanë prerë pemët dhe degët e tyre, por s'i kanë larguar ende nga trotuari, lagjja apo edhe dyert e dritaret e shtëpive ku i kanë lënë.
Ai thotë se këto degë kanë bllokuar edhe lëvizjen e banorëve, ndërkohë që nuk dihet se kur bashkia do bëhet e gjallë për t'i hequr.
Nga ana tjetër me të njëjtën problematikë janë përballur ditën e sotme edhe banorët e zonës së Laprakës dhe Bllokut Qintash ku degët e prera të pemëve kanë bllokuar plotësisht trotuarin duke e bërë të pamundur lëvizjen e këmbësorëve.