Roman Novak dhe bashkëshortja e tij Anna, një çift rus, u rrëmbyen, u torturuan dhe më pas u vranë në mënyrë brutale nga një bandë kriminale, e cila më pas copëtoi trupat e tyre dhe i varrosi në mes të shkretëtirës.
Sipas raportimeve të portalit rus Fontanka, Roman Novak ishte një shtetas rus që kishte fituar rreth 500 milionë dollarë përmes një aplikacioni mashtrues të kriptomonedhave. Ai ishte arratisur nga Rusia pasi kishte përvetësuar fondet e investitorëve, duke u fshehur fillimisht në Dubai.
Por, pas një kohe, një grup personash që pretendonin se ishin investitorë të mashtruar, arritën ta lokalizonin dhe ta joshin çiftin në një resort malor jashtë Dubait, më 2 tetor. Që prej asaj dite, Roman dhe Anna nuk u panë më të gjallë.
Hetimet paraprake zbuluan se rrëmbyesit, pasi e kishin marrë çiftin peng, kërkuan nga Novak akses në portofolin e tij të kriptomonedhave. Kur kuptuan se llogaria ishte bosh dhe “thesari” i premtuar nuk ekzistonte më, ata shpërthyen në dhunë të pamëshirshme. Çifti u ekzekutua dhe trupat e tyre u fshehën në shkretëtirë për të zhdukur çdo gjurmë.
Tragjedia ka tronditur opinionin publik, duke nxjerrë edhe një herë në pah anën e errët të botës së kriptomonedhave, ku mashtrimi, etja për para dhe hakmarrja shpesh përfundojnë në skena krimi makabre.