Studentët e Universitetit “Luarasi”, një nga institucionet private të arsimit të lartë në vend në pronësi të familjes Hysenbelliu, kanë denoncuar në redaksinë tonë kushtet tejet të këqija në ambientet ku zhvillojnë mësimin.
Pamjet e siguruara nga redaksia tregojnë qartë se tavanet e auditorëve janë të kalbura nga lagështira, ndërsa uji i shiut depërton brenda klasave sa herë ka reshje. Në video shihet sesi uji hyn brenda auditoreve ndërsa në shumë raste, studentët janë detyruar të vendosin kova për të mbledhur ujin që rrjedh nga tavani, në mënyrë që të mos lagen bankat ku studiojnë.
“Përshëndetje JOQ. Universiteti 'Luarasi', pagujmë 3 mijë euro me këto kushte (sa herë bie shi nuk janë marrë asnjëherë masat) – shprehen studentët, të indinjuar me mungesën e reagimit nga drejtuesit e universitetit.
Në një institucion ku tarifat vjetore variojnë nga 1000 deri në mbi 3000 euro, studentët thonë se kanë pritur kushte dinjitoze dhe standarde moderne, por realiteti, siç shihet nga pamjet, është krejt ndryshe.