E vranë dhe e dogjën në makinë, shqiptari ishte kërcënuar nga ish-i dashuri i të dashurës së tij

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.11.2025, 10:34

Policia greke po përpiqet të zbardhë enigmën makabre të vrasjes së shqiptari 27-vjeçar, Sulo Halili, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar dhe i lidhur në pjesën e pasme të një makine në zonën Skourta, Viotia.

Hetuesit po përpiqen të bashkojnë copëzat e ngjarjes, ndërsa motivi i krimit mbetet ende i paqartë. Një nga pistat kryesore që po shqyrton policia është ajo e rivalitetit romantik, pasi nuk ka asnjë provë që viktima të ketë qenë e përfshirë në aktivitete të paligjshme.

Sipas burimeve hetimore, një ish-partner i vajzës me të cilën 27-vjeçari kishte një lidhje e kishte kërcënuar më parë, çka ka shtyrë hetuesit të hetojnë mundësinë që krimi të ketë ndodhur për motive xhelozie.

Ndërkohë, familjarët e viktimës pritet të paraqiten sot në selinë e Policisë së Athinës (GADA) së bashku me avokatin e tyre, Alexandros Papaioannidis, për të dorëzuar prova dhe informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas hetimeve, autoret e panjohur e qëlluan fillimisht të riun, më pas e vendosën trupin e tij në sediljen e pasme të një makine të vjedhur dhe i vunë zjarrin për të zhdukur gjurmët.

Identifikimi i viktimës u bë përmes analizës së ADN-së, ndërsa makina e përdorur në krim rezulton se ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara, të cilat korrespondonin me një automjet të ngjashëm në Pieria.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes vazhdojnë, ndërsa policia greke po përpiqet të gjejë lidhjet mes viktimës, vajzës dhe personit që e kishte kërcënuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit