Policia e Tiranës finalizoi operacionin anti-krim kibernetik të koduar “Smart Bank Phishing”, duke arrestuar një 21-vjeçar nga Laçi, i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim të llogarive bankare. Shtetasi Orlando Gjoka kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, dhe kontaktonte qytetarët online me premtimin e kredive të rreme.
Ai i ofronte qytetarëve kredite të rreme duke përdorur logon e bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet. Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, Gjoka i shtynte qytetarët të depozitonin shuma që varjonin nga 750 deri në 1 500 euro, duke premtuar një kredi fikse prej 15 000 eurosh.
Policia bën të ditur se operacioni ishte i suksesshëm falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Forcës së Posaçme Operacionale. Shtetasi Gjoka u arrestua në flagrancë, ndërsa dy personë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për përfshirje të mundshme në këtë skemë mashtruese.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. Materialet juridike janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje në sisteme kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i të dhënave dhe thirrjeve telefonike”.