Zbardhen detaje të reja nga hetimet për ekzekutimin e Gilmando Danit dhe plagosjen e Muçi Shaljanit (Sheqeri) pranë aeroportit të Rinasit. Policia e Tiranës po kërkon një person që dyshohet se ka ndihmuar autorët e atentatit, duke u dhënë informacion në kohë reale mbi lëvizjet e viktimës.
Sipas burimeve hetimore, personi i dyshuar është një i ri me trup mesatar dhe syze, i cili rreth orës 13:00 të ditës së ngjarjes është parë të zbresë nga një makinë tip “Fiat”, e parkuar pranë parkimit të aeroportit të Rinasit.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se sapo ka hyrë në ambientet e brendshme të aeroportit, ai është drejtuar te monitorët e fluturimeve, duke vëzhguar avionët që do të uleshin në ato momente. Verifikimet tregojnë se fluturimi nga Barcelona kishte vonesë rreth 15 minuta, periudhë gjatë së cilës i riu është parë të hyjë në tualet dhe më pas të rikthehet në zonën e pritjes së pasagjerëve.
Në momentin që kanë mbërritur Dani dhe Shaljani, të cilët mbanin nga një çantë me vete, personi i dyshuar ka nisur telefonatat dhe i ka ndjekur nga pas deri te makina ku u ulën. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka treguar vendndodhjen e saktë të shënjestrës, përpara se autorët të ndërmerrnin sulmin. Pasi dy të rinjtë kanë hipur në automjetin e tyre, i dyshuari është larguar me nxitim në drejtim të kundërt.
Në vijim, mjeti ku ndodheshin Dani dhe Shaljani është nisur drejt rrethrrotullimit të Rinasit, por aty një makinë tjetër ka qëndruar për disa minuta përpara tyre, moment që besohet se ka shërbyer si sinjal për autorët e atentatit.
Menjëherë më pas, nga një makinë tip “Toyota” me targa greke, kanë dalë tre persona të armatosur me kallashnikov, të cilët kanë qëlluar në drejtim të automjetit “Benz” ku ndodhej viktima. Pamjet filmike tregojnë se pas breshërisë së parë, një nga autorët është afruar te dera e pasagjerit dhe ka qëlluar disa herë nga afër, përpara se të largohej.
Qytetarët dhe efektivët e policisë së Rinasit kanë qenë të parët që kanë mbërritur në vendngjarje, por shoferi i “Benz”-it nuk ka mundur të hapë derën për shkak të plagëve të marra në qafë dhe kokë.
Mjeti “Toyota” i përdorur nga autorët rezulton me targa greke dhe, sipas kamerave të sigurisë, ka qëndruar në zonën e Rinasit deri në momentin e atentatit.
Policia ka shpallur në kërkim personin informator që dyshohet se ka ndihmuar grupin e atentatorëve dhe po punon për të identifikuar gjurmë të reja në mjetin “Fiat” dhe makinën “Toyota”, e cila i përket një kompanie private.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.