Në Venezuelë po fryn erë lufte. Regjimi i Nicolas Maduro-s, i dobësuar ekonomikisht dhe ushtarakisht, po përgatitet për një “rezistencë të zgjatur” në rast se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin ndonjë sulm ajror apo tokësor ndaj vendit latin.
Sipas dokumenteve të sigurisë dhe burimeve të brendshme të cituara nga Reuters, ushtria venezueliane po shpërndan armë, kryesisht pajisje të vjetra ruse, dhe po përgatitet për një luftë guerile që synon të krijojë kaos dhe të bëjë vendin “të paqeverisshëm” për çdo forcë pushtuese.
Kjo strategji, e quajtur “rezistencë e zgjatur”, parashikon që njësi të vogla ushtarake të shpërndara në më shumë se 280 zona të vendit të kryejnë akte sabotimi dhe sulme të befasishme. Një plan i dytë, i quajtur “anarqizim”, synon të përdorë shërbimet e inteligjencës dhe militantët e armatosur të partisë në pushtet për të ndezur trazira në Caracas, duke e zhytur kryeqytetin në kaos.
Një burim i afërt me ushtrinë pranon se “Venezuela nuk është e përgatitur për një luftë konvencionale, nuk do të zgjatnim as dy orë kundër një ushtrie si ajo e SHBA-së”.
Megjithatë, Maduro vazhdon të përpiqet të projektojë forcë. Ai pretendon se 8 milionë civilë janë përfshirë në trajnime ushtarake për të mbrojtur vendin dhe se “çdo mal, qytet e fshat” është tashmë i mbushur me raketa portative ruse Igla-S, rreth 5,000 të tilla sipas burimeve.
Ushtria venezueliane ka rreth 60 mijë trupa aktive, por shumë prej tyre vuajnë nga mungesa e ushqimit, pagat qesharake dhe pajisjet e prishura. Shumë prej komandantëve janë detyruar të negociojnë me fermerët lokalë për të siguruar ushqime për ushtarët e tyre.
Ndërkohë, pajisjet ushtarake të vendit janë të vjetra dhe të amortizuara. Luftëtarët rusë Sukhoi të blerë në vitet 2000, tanket dhe helikopterët e epokës sovjetike, nuk mund të krahasohen me arsenalin modern amerikan.
Megjithatë, Maduro përpiqet të ruajë imazhin e forcës përmes propagandës televizive dhe paralajmërimeve ndaj SHBA-së. Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino deklaroi:
“Ne jemi gati këtu, nuk duam luftë, por çdo agresion do të përballet me unitet kombëtar.”
Por ekspertët thonë se qëllimi i vërtetë i Maduro-s nuk është fitimi i një lufte të pamundur, por frikësimi dhe krijimi i pasigurisë. Siç shpjegon analisti i sigurisë Andrei Serbin Pont:
“Mesazhi nuk është fuqia reale ushtarake, por kërcënimi se armët mund të përfundojnë në duart e grupeve të armatosura, paramilitarëve apo ish-ushtarëve të pakënaqur – duke e zhytur vendin në kaos total në rast të një ndërhyrjeje.”
Në një vend ku pagat e ushtarëve janë më pak se 100 dollarë në muaj dhe ushqimi është luks, Maduro luan me një kartë të vetme: frikën. Dhe frika, në Venezuelën e sotme, është arma më e fuqishme që i ka mbetur.