Të rinjtë shqiptarë po shmangin konsultat mjekësore dhe po mbështeten gjithnjë e më shumë te informacionet e paverifikuara në internet apo te ndikimi i shoqërisë për metodat kontraceptive.
Ky fenomen po kthehet në një alarm serioz, pasi mungesa e këshillimit profesional rrit ndjeshëm rrezikun e keqinformimit dhe praktikave të pasigurta.
Sipas një studimi të Qendrës “Aleanca Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin”, një pjesë e të rinjve përdorin pilula kontraceptive ose kryejnë aborte pa u konsultuar më parë me mjekët specialistë. Ekspertët theksojnë se interneti dhe rrethi shoqëror janë burimet kryesore nga ku të rinjtë marrin informacion, gjë që shpesh çon në vendimmarrje të gabuara dhe të rrezikshme për shëndetin riprodhues.
Përfaqësues të qendrës nënvizojnë rëndësinë e përfshirjes së specialistëve në trajtimin e çështjeve që lidhen me shëndetin riprodhues, sidomos kur diskutohet për ndryshime ligjore. Sipas tyre, zëri i profesionistëve duhet të jetë prioritet për të shmangur përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit.
Ekspertët rekomandojnë që draftet ligjore dhe politikat e reja të shpjegohen në gjuhë të qartë e të kuptueshme për publikun, duke ulur kështu rrezikun e keqinterpretimit dhe duke parandaluar abuzimet, sidomos në debate të ndikuara nga rryma konservatore.