Futbollisti i kombëtares së Andorrës, Erik Vales, ka bërë të qartë se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të japin maksimumin në ndeshjen kundër Shqipërisë, duke e konsideruar përballjen si një finale.
“Nuk mund t’ju premtoj rezultatin, por mos keni dyshim për përkushtimin tonë. Do të luajmë si për finale, me motivim maksimal,” tha Vales, duke shtuar se atmosfera në skuadër është shumë pozitive.
Interesant është fakti se disa futbollistë serbë të klubit të tij, Tekstilac, i kanë kërkuar Vales që të “ndihmojë” Serbinë, e cila ka ende shpresa për kualifikim në play-off të Botërorit 2026. Ai e konfirmoi se këtë temë e kanë diskutuar ndonjëherë në dhomën e zhveshjes, por gjithmonë me respekt profesional.
Vales nuk do të luajë në këtë përballje për shkak të pezullimit me kartona, por ishte pjesë e analizave dhe ndeshjeve të mëparshme kundër Shqipërisë dhe Serbisë. Ai vlerësoi të dyja kombëtaret si shumë të forta dhe me karakteristika të ngjashme: intensitet të lartë, lojë fizike dhe krijim rastesh për gol.
Ndeshja pritet të jetë vendimtare për Andorrën dhe tërheq vëmendjen e Serbisë, e cila do të ndjekë me kujdes rezultatin për të mbajtur gjallë shpresat për play-off.