Nga Ministria e Së Vërtetës.
Në një deklaratë që po bën bujë në media, Ministrja e Brendshme ka qetësuar publikun lidhur me ngjarjet e sotme në afërsi të aeroportit të Rinasit. “Mos u shqetësoni, nuk ishte vrasje, po xhirohej një film,” tha ajo me një buzëqeshje të qetë dhe duke treguar disa nga klipet e skenave “aksion” në telefon.
Sipas ministres, Benz-i i blinduar, breshëritë e plumbave dhe ndjekja nga autorët ishin thjesht efektet speciale që nuk duhet t’i shqetësonin qytetarët. “Sigurisht, pasagjeri ra pak… por aktori kryesor ka marrë një trajtim të shkëlqyer nga stafi i ‘special effects’,” shtoi ajo.
Në skenarin e filmit, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) sapo kishin mbërritur nga Barcelona dhe ishin gati për rolet e tyre dramatike. Automjeti i Elvis Kosova u shfrytëzua si “rekvizit kryesor”, ndërsa autorët misteriozë ishin pjesë e kastit të xhirimit.
Ministrja përfundoi me një mesazh qetësues për qytetarët: “Mos u shqetësoni për breshëritë. Të gjithë efektet ishin pjesë e produksionit. Vetëm kujdes, mos i kapni selfie me aktorët gjatë xhirimit.”
Deri tani nuk ka informacion nëse filmi do të ketë premierë ndërkombëtare apo do të mbetet ekskluziv për Shqipërinë.