Zbulohet lidhja mes Gilmando Danit dhe “Sheqerit”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.11.2025, 20:22

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur këtë të martë pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Dani dhe Shaljani kishin marrëdhënie miqësore prej vitesh dhe se ishin parë shpesh bashkë edhe më herët. Të dy sapo ishin kthyer nga një udhëtim disa ditor në Barcelonë, ku kishin fluturuar në datën 7 nëntor.

Pas uljes në aeroportin “Nënë Tereza”, ata kanë marrë nga parkimi një automjet të blinduar tip “Benz”, në pronësi të Elvis Kosovës, një emër i njohur për policinë. Pikërisht me këtë mjet, pak minuta më vonë, ata ranë në pritën vdekjeprurëse jashtë aeroportit.

Dyshohet se autorët kanë ndjekur Danin për ditë me radhë, duke njohur në detaje lëvizjet e tij dhe momentin e kthimit nga jashtë vendit. Hetimet po përqendrohen në pistën e ndjekjes dhe në mundësinë që informacionet për itinerarin e Danit të jenë siguruar nga persona brenda rrethit të tij të afërt.

Ndërkohë, Shaljani ndodhet ende në gjendje kritike në spital, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe personat pas atentatit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit