Pas verifikimeve të kryera, sqarojmë publikun se fotoja e publikuar më herët nga mediumi ynë dhe disa media të tjera online nuk i përkiste viktimës së atentatit të ndodhur pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit.
Konfirmohet se viktima e ngjarjes tragjike është 47-vjeçari Gilmando Dani, ndërsa fotoja që qarkulloi më herët i përket një personi tjetër, Dritan Hatës, i cili është gjallë.
Duket se bëhet fjalë për një ngatërresë aksidentale të përsëritur, pasi kjo pasaktësi mes imazheve të Gilmando Danit dhe Dritan Hatës është vërejtur edhe më parë në disa publikime gjatë viteve.
Fatkeqësisht, i njëjti gabim është përsëritur edhe pas ngjarjes tragjike të sotme.
Për të garantuar informim të saktë dhe për të shmangur çdo keqkuptim, më poshtë publikojmë fotografinë e saktë të viktimës, Gilmando Dani.
Ky sqarim bëhet në respekt të së vërtetës, transparencës ndaj publikut dhe familjes së personit të ndjerë.
